Dy ura të reja do të lidhin veriun e Mitrovicës së banuar me shumicë serbe me pjesën jugore të banuar me shumicën shqiptare. Pasditen e së martës, kryeministri në detyrë Albin Kurti së bashku me përfaqësuesit lokalë të të dy komunave dhe ministra vendosën gurthemelin e të dy urave.
Urat e reja do të vendosen paralelisht me urën kryesore që është e mbyllur për qarkullimin e veturave.
Kurti tha se me ndërtimin e këtyre urave po tregojnë përkushtimin që ndërmjet veriut e jugut të ketë sa më shumë qarkullim, bashkëpunim e shkëmbime. Pas përurimit, Kurti tha se nuk ka hequr dorë nga hapja e urës kryesore mbi lumen Ibër por për këtë duhet të binden ndërkombëtarët.
“Ne nuk dëshirojmë të krijojmë kurrfarë fërkimesh me askënd, përfshirë edhe karabinierët italianë prandaj edhe po i presim kur edhe ata të binden siç jemi të bindur ne që ura ka nevojë për qarkullim edhe të automjeteve jo për persona të unfirmuar”, tha Kurti.
Në lidhje me rezervat e Bashkimit Europian për ndërtimin e këtyre urave, Kurti tha se është i gatshëm të sqarojë kushdo që i kërkon ato.
“Ne gjithçka që bëjmë është në përputhje me planet tona, sipas ligjit dhe gjithashtu për të mirën e të gjithë qytetarëve. Ata të cilët kanë dilema lirisht mund të na kontaktojnë dhe ua shpjegojmë me përpikëri dhe durim”, shtoi kryeministri.
Të dy urat do të kushtojnë rreth 3 milionë euro ndërsa pritet të lëshohen për qarkullim deri në muajin tetor.
“Njëra do të jetë vetëm për këmbësorë dhe ura tjetër edhe për automjete edhe për këmbësorë. Gjatësia e asaj ure do të jetë 51 metra, me tre fusha, ndërsa kjo urë këtu do të shërbejë si lidhje e të dyja shesheve pra dy pedonaleve në të dy anët e lumit dhe do të rritet sipërfaqje për ecje”, tha ministri Aliu.
Pesë anëtarë të partisë Demokracia Serbe e Aleksandër Arsinojeviç dolën ta prisnin Kurtin me vërshëllima por u arrestuan nga Policia e Kosovës. (A2 Televizion)