Kuvendi i Kosovës ka mbetur i pa konstituuar edhe pas 40 tentativash. Tre prej tyre janë pas shpalljes së një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese që duket se dha efekt krejt të kundërt me atë që pritej.
Ndonëse pritshmëritë ishin që Kushtetuesja të sqaronte si duhet të vazhdohet me votimin, në të vërtetë solli një vendim që palët po e interpretojnë ndryshe nga njëra-tjetra.
Arsye për këtë sipas njohësve është gjuha që gjykata përdori për të sjellë aktgjykimin.
“Kërkesa që është dërguar nga ana e deputetëve të AAK është më shumë e natyrës politike dhe mbase gjykata u lëshua në një lojë gjuhe të shkrimit te tekstit dhe të aktgjykimit në një frymë politike të përgjigjes së asaj kërkese sesa frymë të pastër dhe të qartë precize të interpretimit kushtetues të normave”, tha Vullnet Bugaqku.
Aktgjykimi ka konfirmuar se grupi më i madh parlamentar, në këtë Lëvizja Vetëvendosje duhet të bëjë përpjekje për të gjetur një zgjidhje dhe sipas ekspertëve është partia e Kurti e cila po e keqinterpreton.
Një tjetër vendim që solli aktgykimi është që seanca konstituive duhet të përmbyllet deri më 26 korrik por edhe këtë e solli pa specifikuar pasojat.
“Kur gjykata e vendosi afatin për 30 ditë unë mendoj që do të duhej ta sqaronte se çfarë efekti ka moszbatimi i këitj afati, pra me një fjalë, është shkelje e kushtetutës sepse tash ka një aktgjykim i gjykatës i cili është në fuqi dhe mosrespektimi është shkelje e kushtetutës por efektin që e prodhon ajo shkelje nuk nënkupton as shpërndarje të Kuvendit apo ndonjë masë tjetër kushtetuese ndaj këtyre deputetëve apo vetë legjislaturës”, shton Vullnet Bugaqku.
Lëvizja Vetëvendosje mësohet se është në përgatitje të kërkesës drejtuar Kushtetueses për faktin se deputetët e partive të tjera nuk po marrin pjesë në votim me rastin e ngritjes së komisionit për votim të fshehtë.
Nga Presidenca konfirmuan se nëse paraqitet nevoja, Osmani mbetet e gatshme t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë në lidhje me ngërçin e Kuvendit të Kosovës. (A2 Televizion)
Vendimi i Kushtetueses, çfarë ndodh pas 30 ditësh dhe pse interpretohet ndryshe?
