
Shtëpia e re e Partizanit do të jetë gati shumë shpejt për të pritur futbollistët. Kompleksi i ri i që po ndërtohet në zonën e Tufinës, do të ketë të gjitha kushtet dhe nevojat e një klubi europian duke filluar që nga stadiumi, fushat stërvitore, hoteli akomodues, palestrat, ambientet ndihmëse, parking apo muzeu i klubit.
Mesditën e kësaj të shtune , presidenti i FSHF-së, Armand Duka së bashku me Presidentin e Partizanit, Gazment Demi kanë inspektuar nga afër punimet ndërsa treguan se ky investim do të jetë një vatër e talenteve të reja.
“Në fakt jo vetëm unë, por çdo njeri që do të vinte këtu, do të ndjehej i surprizuar nga i gjithë kompleksi që po ndërtohet këtu për klubin Partizani. Mund të kem lexuar nëpër media që Partizani po ndërton një kompleks, por nuk mund ta besoja që është një projekt kaq i madh me një stadium të kompletuar që plotëson të gjitha parametrat, me një hotel për ekipin. Projekti përfundimtar parashikon edhe fusha stërvitore për të gjitha ekipet e moshave, gjë që do t’i shërbejë shumë kryesisht fëmijëve të Tiranës. Në fund të fundit investimi është për ta, pavarësisht se vetë klubi pretendon edhe në nivelin profesionist që të ketë rezultate nëpërmjet atyre fëmijëve”, deklaroi presidenti i FSHF.
“Ky është një investim që do t’i mbetet brezave që vijnë. Mendohet sikur po bëhet vetëm për ekipin e parë, por në fakt është vërtetë një investim për brezat e rinj dhe për edukimin e fëmijëve. Jemi lodhur shumë gjithë këto vite, të gjithë e dinë si e kemi marrë Partizanin. Me shumë vështirësi, me vonesa ndoshta shumë, por ka ardhur koha që të jemi drejt përfundimit. Bashkëpunimi me FSHF-në ka nisur, ndoshta është modest dhe ndërkohë ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë seriozisht. Mendoj se ky kompleks është diçka shumë e mirë edhe për qytetin e Tiranës”, komentoi presidenti i Partizanit, Gaz Demi.
Kështu pas një periudhe të vështirë më në fund Partizani do të ketë një shtëpi, ndërsa burime nga klubi i kuq bëjnë me dije se ndeshja e parë zyrtare do të zhvillohet në fundin e muajit maj. (A2 Televizion)