Investimet e huaja po përqendrohen te pronat

Nga A2 CNN
27 Dhjetor 2021, 17:02 | Ekonomi

Rritja e vlerës së pronave në Shqipëria ka tërhequr edhe vëmendjen e investitorëve të huaj. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, janë rreth 141 milionë euro të investuara nga jashtë në tregun e pasurive të paluajtshme, duke e renditur aktivitetin e dytë më me interes, pas industrisë nxjerrëse.

Investimi veçanërisht në zona të lakmuara të kryeqytetit dhe në vila apo komplekse rezidenciale në bregdet është një trend i viteve të fundit, i stepur vetëm nga pandemia dhe pamundësia fizike e individëve të huaj për të vizituar vendin.

Për ekspertin imobiliar Lefter Sila, tregu ka qenë në rritje të vazhdueshme që prej vitit 2015 dhe nuk shfaq ende shenja ngadalësimi, duke e bërë pronën një investim të mirë.

Nëse më herët ishin turistët italianë që blinin kryesisht shtëpi në zonat bregdetare, vitet e fundit gjeografia e të huajve që investojnë në prona është zgjeruar.

Me përfundimin e projekteve të ndryshme si Porti i Durrësit, apo planet për porte jahtesh dhe aeroporte, pritet interesi edhe nga qytetarët e vendeve më të pasura si Arabia Saudite. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos