Irani refuzon kërkesën e Trump për negociata

Nga A2 CNN
21 Maj 2019, 22:37 | Bota
Irani refuzon kërkesën e Trump për negociata

Irani nuk do të negociojë me presidentin amerikan Donald Trump, derisa Uashingtoni të tregojë respekt për Teheranin duke respektuar përkushtimet e veta nën marrëveshjen bërthamor. Deklarata vjen nga ministri i Jashtëm iranian, Javad Zarif, në një intervistë ekskluzive për CNN.

Zyrtari iranian paralajmëroi Shtetet e Bashkuara duke thënë se po luajnë një lojë shumë të rrezikshme duke shtuar praninë ushtarake në rajon.

“Do të ketë pasoja të dhimbshme për të gjithë, nëse do të ketë përshkallëzim kundër Iranit. Shtetet e Bashkuara janë angazhuar në luftë ekonomike kundër nesh. Kjo duhet të ndalojë”, u shpreh shefi i diplomacisë iraniane.

Ndër të tjera, ai theksoi se Teherani nuk është i interesuar në përshkallëzimin e situatës, por në qetësimin e saj.

Megjithatë, ndryshe mendon administrata amerikane.

“Jemi në një periudhë ku kërcënimi mbetet shumë i lartë dhe puna jonë është të sigurohemi që mos të ketë llogaritje të gabuara nga iranianët. Kjo është shumë e rëndësishme. Në duhet të kontrollojmë përshkallëzimin”, deklaroi sekretari amerikan i Mbrojtjes, Patrick Shanahan.

Tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit janë rritur ndjeshëm kohëve të fundit për shkak të rikthimit të sanksioneve ekonomike nga SHBA. Së fundmi, presidenti Trump kërcënoi Iranin me asgjësim, ndërsa Republika Islamike i kërkoi që të tregojë respekt. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos