
Arben Isufaj, i njohur si Ben Qimja ,dhe Saimir Taullau janë dy emrat e radhës që do të duhet të përgjigjen për pasuritë e tyre. Operacioni Forca e Ligjit (OFL) njoftoi dërgimin e formularëve pasi dyshohet se pasuria e tyre është vendosur në kundërshtim me ligjin.
Ben Qimja njihet si njeriu që është përballur disa herë me policinë, prokurorinë dhe gjykatat, ku akuzat kanë qenë për trafik ndërkombëtar droge, ndërsa tashmë është i lirë. Pak vite më parë u rrëzua edhe kërkesa e Italisë për ekstradimin e tij drejt vendit fqinj për trafik kokaine. Përsa i përket pasurisë, fillimisht kundër tij ka pasur një hetim në vitin 2014 dhe më pas në 2018 nga Krimet e Rënda në një proces që ende vijon.
Saimir Taullau njihet në qytetin e Lushnjes si rival i Bandës së Lushnjes, ndërsa u ka shpëtuar dy atentateve, i fundit në tetor të 2017. Pas vrasjes së të vëllait, Taullau ka dëshmuar dhe në gjyqin kundër Aldo Bares. Ai njihet si biznesmen në Lushnje, ndërsa policia dyshon se të ardhurat e tij vijnë nga veprimtari kriminale. (A2 Televizion)