Gjykata e Durrësit ka lënë në burg Fredi Krasniqin, 43-vjeçarin, i cili u arrestua pasi në shtëpinë e tij policia gjeti 444 rrënjë kanabis sativa, si dhe një arsenal armësh.
Edhe para trupit gjykues, ai është shprehur se kultivimin e kanabisit e ka bërë për vete për të përfituar para, që i duheshin për të kryer një ndërhyrje kirurgjikale, pasi kishte probleme shëndetësore.
Sa i përket arsenalit të armëve që iu gjetën në një ambient me mur të dyfishtë, ai ka mbajtur të njëjtin qëndrim si gjatë marrjes në pyetje, se armët kanë ngelur aty që prej 1997-s dhe se nuk i ka përdorur në asnjë vepër penale.
Avokati në përfundim të seancës tha se kërkoi një masë më të lehtë për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, por nuk u pranua nga trupi gjykues Shpëtime Pitaku.
Arrestimi i Fred Krasniqit, u bë tri ditë më parë në kuadër të operacionit policor “Krahët e Krimit”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij katërkatëshe në Sallmone të Shijakut, policia sekuestroi 444 rrënjë kanabis Sativa, materiale që shërbenin për ndërtimin e impiantit të drogës, si dhe një arsenal armësh të fshehura në një mur të dyfishtë.
Për ngjarjen, policia shpalli në kërkim edhe vëllain e tij, Selman Krasniqi, i cili rezulton të jetë në shtetin fqinj, Itali. (A2 Televizion)