
Apeli i Posaçëm konfirmoi dënimin me 14 vite burg për Emiliano Shullazin, i fajësuar për “gjobëvënie” ndaj biznesmenëve Ylvi Beqja dhe Jani Zaka si edhe për akuzën e “grupit të strukturuar kriminal”.
Të pandryshuara mbetën masat e dënimit për të bashkëpandehurit e tij.
Gjatë shpalljes së vendimit në kafazin e sallës së gjyqit ishin të pranishëm të pandehurit Shullazi, Gilmando Dani dhe Endrit Zela e Endrit Qyqja, por banka e avokatëve ishte bosh.
Para leximit të verdiktit final kryesuesja Miliana Muça theksoi se në seancën e parafundit ishte vendosur vazhdimi i gjyqit pa avokatë, ndërsa prokurorët e SPAK ishin tërhequr nga ankimi i tyre kundër vendimit të Shkallës së Parë.
Referuar edhe një vendimi të Gjykatës së Strasburgut, gjykata argumentoi se të pandehurve iu ishte dhënë çdo mundësi për të pasur një mbrojtws dhe se sjellja e tyre për të mos pasur një të tillë, konsiderohej si abuzim me të drejtën e mbrojtjes dhe përpjekje për pengimin e procesit brenda një kohe të arsyeshme. Vendimi i Apelit u prit me qetësi nga të pandehurit, ndërkohë që u ndoq edhe nga përfaqësues të Ambasadës Amerikane dhe të OSBE. (A2 Televizion)