
Dy inspektorë të tjerë të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Elbasan dhe 6 persona të tjerë janë vënë në pranga, pasi akuzohen për shpërdorim detyre dhe ndërtim pa leje.
Sipas policisë, në pranga janë vënë: D. Z., 28 vjeç dhe A. Z. 34 vjeç, me detyrë inspektorë të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Elbasan, të dyshuar për veprën penale” Shpërdorimi i detyrës“;
I. Ç., 33 vjeç, Xh. P., 23 vjeç, K. Gj., 35 vjeç, A. D., 39 vjeç, Sh. V., 35 vjeç dhe K. M., 21 vjeç, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”. Ndërsa është shpallur në kërkim shtetasi T. P., 64 vjeç, banues në Kuqan, pronar i një hoteli në Llixha, i dyshuar për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Policia bën të ditur se gjatë hetimeve të kryera për një ndërtim pa leje me sipërfaqe rreth 5000 metër katror në zonën e Llixhave, Njësia Administrative Tregan, Elbasan, në pronësi të shtetasit T. P., është dyshuar për korrupsion nga punonjësit e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit që mbulojnë qarkun Elbasan, duke favorizuar një ndërtim pa leje.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi T. P. ka ndërtuar një kompleks me sipërfaqe të madhe, në një zonë të mbrojtur, pa lejen e organeve kompetente. (A2 Televizion)