
Përkundër angazhimit të marrë përsipër në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit amerikan, Donald Trump, Serbia nuk do ta zhvendosë ambasadën e vet në Jeruzalem nëse Izraeli njeh Kosovën si shtet i pavarur.
Këtë e tha një burim i afërt me presidentin serb, Aleksander Vuçiç, për “Jerusalem Post” ditën e mërkurë.
“Përveç kësaj, një lëvizje e tillë nga Izraeli do të dëmtonte marrëdhëniet e afërta mes Izraelit dhe Serbisë, të cilat nuk do të ishin më njësoj”, deklaron burimi i cituar nga “Jerusalem Post”.
Sipas burimit, të shumtë janë ata që mendojnë se njohja e Kosovës nga Izraeli do të ishte e njëjtë me njohjen e njëanshme të Palestinës nga shtetet e tjera.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti serb Aleksander Vuçiç nënshkruan marrëveshje për përmirësimin e marrëdhënieve ekonomike, me bekimin e presidentit amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Përveç kësaj, në marrëveshjen me Kosovën thuhej se Prishtina dhe Izraeli do të normalizonin marrëdhëniet dhe se shteti me shumicë myslimane do të hapte ambasadën e tij në Jeruzalem.
Në dokumentin e firmosur nga Serbia, theksohej gjithashtu zhvendosja e ambasadës në Jeruzalem.
Çështja nxiti reagimin e Bashkimit Europian që theksoi se çdo marrëdhënie diplomatike që bie ndesh me qëndrimin e Brukselit, përbën shqetësim serioz. (A2 Televizion)