
Në nisje të samitit, kryeministri britanik, Boris Johnson, tha se presidenti rus, Vladimir Putin, e ka kaluar vijën e kuqe të barbarizmit në Ukrainë dhe bëri thirrje për masa të forta ekonomike kundër regjimit të Putinit.
“Sa më shumë të shtrëngojmë lakun ekonomik ndaj Moskës, aq më shumë e ndihmojmë Ukrainën”, tha Johnson.
“Mendoj se realiteti është se Vladimir Putin e ka kaluar vijën e kuqe të barbarizmit dhe tani i takon NATO-s të konsiderojë këtë krizë të tmerrshme në Ukrainë, vuajtjen e pamasë të popullit dhe çfarë mund të bëjmë më shumë për të mbrojtur Ukrainën dhe veten. Duhet të shohim se çfarë mund të bëjmë për të shtrënguar edhe më shumë rripin ekonomik rreth regjimit të Putinit. Është shumë e rëndësishme të punojmë së bashku për të arritur sa më shpejt rezultat. Sa më të forta të jenë sanksionet tona, sa më i ngushtë laku ekonomik për Moskën, aq më shumë e ndihmojmë Ukrainën”, deklaroi Johnson. (A2 Televizion)