“Ju bënë nder me këtë sulm”, Berisha takohet me ish-presidentin e Kroacisë, Stipe Mesiç

Nga A2 CNN
8 Dhjetor 2022, 12:42 | Politikë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka pritur sot në zyrë ish-Presidentin e Kroacisë, Stipe Mesiç. Sipas asaj që njofton zyra e shtypit e PD-së, të dy kanë zhvilluar një bisedë miqësore të përqendruar te sulmi i ditës së martë dhe gjendja politike në vend.

“Kam qenë shumë i shqetësuar dhe kam pyetur ndihmësit e mi çdo 15 minuta”, i tha Mesiç Berishës. “E kam ditur që në fillim se është një sulm i organizuar. Përvoja ime e gjatë në politikën ballkanike më tregon se kjo nuk mund të ishte një rastësi”.

Kryetari i PD-së, i cili është shfaqur me syze me xhama të errët, për të mbuluar shenjat e sulmit që i ndodhi dy ditë më parë, i ka shpjeguar mikut të Shqipërisë dinamikën e ngjarjes, duke theksuar se goditja u bë nga një informator i Policisë, me porosi të ministrit Çuçi dhe vetë Edi Ramës.

Më pas, Berisha u ndal te dramat aktuale të Shqipërisë, shpopullimi dhe rënia e pluralizmit nëpërmjet paralizimit dhe manipulimit të votës së lirë, por edhe përpjekja për të zhdukur opozitën. “Kemi humbur më shumë shqiptarë gjatë 8 viteve të fundit se Polonia gjatë Luftës së Dytë Botërore”, theksoi Berisha.

Ish-presidenti kroat tha se kryetari i PD-së është dëmtuar fizikisht, por është ndihmuar politikisht. “Ata ju kanë bërë nder me këtë sulm dhe kanë dëmtuar veten”, shtoi ai. Mesiç i tha Berishës “ju jeni babai i demokracisë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon. Ju i duheni Shqipërisë, shqiptarëve dhe Europës, sepse jeni demokrat”, përfundoi ai.

Në fund, pyetjes se pse kundërshtari i tij mund ta bëje këtë, Berisha iu përgjigj: “Edi Rama nuk e gëzon dot një sukses të vetin, sado i madh qoftë, pa dhunuar kundërshtarin. Është në psikën e tij”. Zoti Berisha në mbyllje të takimit e falënderoi zotin Mesiç për kujdesin, interesin dhe miqësinë e tij për të dhe shqiptarët. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/12/07/sulmi-ndaj-berishes-pergjegjesia-penale-e-shehut-ne-varesi-te-akt-ekspertimi-psikik/
https://a2news.com/2022/12/07/sulmi-ndaj-berishes-dalin-videot-e-autorit-para-ngjarjes-ja-akuzat-ndaj-tij/

A2 CNN Livestream

Latest Videos