“Ju kurrë nuk do të luftoni vetëm”, mesazhi i fortë nga tifozët në ndeshjen Kosovë-Rumani

Nga A2 CNN
16 Qershor 2023, 22:23 | Futboll

Kosova luan sot në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, sfidën e radhës kualifikuese për Euro2024, ku përballë ka Rumaninë, e cila renditet e dyta pas Zvicrës në grupin I.

Aktualisht po luhet pjesa e dytë e sfidës, por në mungesë të golave nga të dy ekipet ajo çka tërhoqi më shumë vëmendjen ishte koreografia e tifozëve dardanë në nisje të ndeshjes, kur u kënduan himnet kombëtare përkatëse.

Tifogrupi i Kombëtares së Kosovës, “Dardanët” kanë shpalosur një mesazh gjigant në tribunën veriore të impiantit kryeqytetas, ku shkruhej: “Ju kurrë nuk do të luftoni vetëm”.

Mesazhi i fortë vjen në një kohë kur tensionet në Veri kanë arritur kulmin e tyre pas hyrjes në zyra të kryekomunarëve të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit dhe serbët në protesta nuk kanë kursyer dhunën mbi askënd.

Sakaq, mesazhi vjen edhe në shenjë mbështetje për policinë e Kosovës, teksa tre zyrtarë që shërbenin në skajin më verior të vendit, u rrëmbyen nga forcat speciale serbe 300 metër brenda kufirit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos