
Shqipëria do të presë Moldavinë, këtë të shtunë, në “Air Albania”, për një sfidë që në rast fitoreje do të shërbente për motivimin e kuqezinjve dhe do të mbante gjallë shpresat për një kualifikim në Euro2024.
Për sfidën që do të startojë në orën 20:45, policia ka hartuar një plan masash në mënyrë që të garantohet rendi dhe siguria para, gjatë dhe pas saj.
Masat e marra nga Policia e Shtetit konsistojnë në eskortimin dhe sigurimin e ekipit të Moldavisë, nga aeroporti i Rinasit në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas dhe i njëjti proces për futbollistët kuqezinj.
Gjithashtu, bëhet me dije se tifozët do t’i nënshtrohen kontrollit të hollësishëm në mjediset e stadiumit dhe brenda stadiumit, me qëllim zbulimin e personave të paautorizuar, por edhe të banderolave me përmbajtje raciste, apo lëndëve piroteknike dhe sendeve të tjera të forta të rrezikshme, që tifozët mund të posedojnë.
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në kryeqytet, nga ora 16:00 e së shtunës e deri në përfundim të ndeshjes, uniformat blu në bashkëpunim me FSHF dhe policinë Bashkiake të Tiranës do të bllokojnë disa rrugë pranë stadiumit kombëtar.
Rrugët që do të jenë të bllokuara:
-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi i Presidencës deri te stadiumi;
-Rruga “Papa Gjon Pali II”;
-Rruga “Dervish Hima”, nga ambasada e SHBA-së deri te stadiumi;
-Rruga “Asim Zeneli”, nga ambasada e SHBA-së” deri te stadiumi;
-Rruga “Themistokli Gërmenji”;
-Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i liceut deri te stadiumi;
-Rruga “Mustafa Matohiti”, nga shkolla “Kosova” deri te stadiumi;
-Rruga “Jul Variboba”, nga posta deri te stadiumi;
-Rruga “Gjergj Filipi”;
-Rruga “ Lekë Dukagjini”, nga ish-Gardës së Republikës deri te stadiumi;
-Rruga “Avdyl Frashëri”, nga kryqëzimi i Librit Universitar deri te stadiumi. (A2 Televizion)