
Raphael Varane ka befasuar futbollin francez dhe jo vetëm duke shpallur tërheqjen nga ekipi kombëtar, edhe pse flitej se do të ishte kapiteni i ardhshëm i tij.
Mbrojtësi i Manchester United ishte një prej lojtarëve kryesorë të skuadrës franceze që u shpall kampione e botës në vitin 2018 dhe deri tani ka luajtur 93 ndeshje me “Les Bleus”.
Tërheqja e tij, në moshën 29-vjeçare, shënon fundin e një epoke për Francën, pasi edhe portieri i Tottenham, Hugo Lloris, gjithashtu ka shpallur tërheqjen nga kombëtarja pas Botërorit të fundit, ku Franca u mund në finale nga Argjentina.
Disa media franceze shkruajnë se, pas vendimit të Varane, kapiten i Francës mendohet se do të shpallet Kyllian Mbappe.
Në një deklaratë të bërë publike, ku shpjegon vendimin e tij, Varane thotë se lodhja fizike dhe psikologjike për shkak të kalendarit të ngjeshur ka ndikuar tek ai. “Detyra është që të japësh gjithçka, të luash me zemër dhe të fitosh sa herë që zbret në fushë. Kam muaj që e mendoj këtë gjë dhe vendosa se është momenti i duhur për ta bërë”, tha Varane.
Në karrierën e tij, Varane fitoi Kupën e Botës me Francën në vitin 2018 dhe Ligën e Kombeve në sezonin 2020-2021. Me Real Madrid, ku ka luajtur pjesën kryesore të karrierës, fitoi 3 herë kampionatin spanjoll, 4 herë Champions League, 4 herë Botërorin e Klubeve, 3 herë Superkupën e Europës, 1 herë Kupën e Spanjës dhe 3 herë Superkupën e Spanjës. (A2 Televizion)