Ka një renditje ku Verstappen është i treti, dhe fituesi është Schumacher, ajo e... dëmeve

Nga A2 CNN
26 Dhjetor 2021, 21:06 | Sporte të tjera

Në Formula 1, si të gjithë e dinë kampionati u mbyll me duelin spektakolar të Abu Dabit, aty ku në një xhiro të vetme, atë të fundit, holandezi Max Verstappen i dha fund dominimit të Lewis Hamilton.

Por tani që gjithçka po orientohet drejt kampionatit 2022, që do jetë revolucion për shkak të rregullores së re dhe parametrave të mjeteve, një renditje e re dhe e habitshme ka marrë parasysh dëmet e shkaktuara nga pilotët gjatë vitit.  

Në ketë renditje të veçantë, “holandezi fluturues” mbetet në podium, por “fituesi” është një nga pilotët që ka zhgënjyer më shumë në këtë sezon.

Bëhet fjalë për gjermanin Mick Schumacher, djali i legjendës Michael, por që ndoshta nuk ka trashëguar talentin e të atit, edhe pse nuk i mungon kurajë. Ai ka qenë i përfshirë në shumë dyluftime dhe aksidente, shpesh herë të panevojshme, duke i shkaktuar Haas 4.2 milionë euro dëme, një shifër pothuajse e papërballueshme për një ekip të vogël, duke menduar se i shtohen edhe 2.46 milionë euro të djegura nga shoku i tij rus Mazepin,  por që të paktën është djali i sponsorit të ekipit. Jo çuditërisht, Schumacher do t’i rikthehet Ferrarit, si pilot i tretë.

Në renditjen e dëmeve, si paradoks, vendin e dytë e mban piloti tjetër i Ferrarit , Ai Charles Leclerc që ka treguar talent por që në këtë sezon ka qenë i pafat dhe i pasaktë shumë herë. Piloti nga Montecarlo ka shkaktuar 4.04 milionë euro dëme, gjithsesi të përballueshme nga gjiganti Ferrari.

Pas tyre dhe Verstappen, që ka shkaktuar 3.89 milionë dëme, ka një hendek të madh, ndërkohë që Lewis Hamilton ka shkaktuar vetëm 1.23 milion euro dëme, edhe pse kjo nuk do t’ia ngrejë shumë moralin për humbjen e titullit të tetë që do ta përjetësonte si piloti më fitues i historisë.

Ka edhe pilot më virtuozë, ose me fat. Një pilot i talentuar dhe shpesh herë në vendet e para si Esteban Ocon, me Alpine, ka shkaktuar ”vetëm” 280 mijë euro dëme, praktikisht gërvishtje në Formula 1, ndërkohë që shoku i ekipit Alonso e pason me 315 mijë euro.  

Renditja e dëmeve

1 Mick Schumacher (Haas) 4.212,500

2 Charles Leclerc (Ferrari) 4.046,000

3 Max Verstappen (Red Bull) 3.889,000

4 Nicholas Latifi (Williams) 3.116,500

5 Valtteri Bottas (Mercedes) 2.713,500

6 Lance Stroll (Aston Martin) 2.686,000

7 Yuki Tsunoda (AlphaTauri) 2.606,500

8 Nikita Mazepin (Haas) 2.468,000

9 Kimi Raikkonen (Alfa) 1.,950,000

10 George Russell (Williams) 1.845,000

11 Carlos Sainz (Ferrari) 1.756,000

12 Lando Norris (McLaren) 1.453,000

13 Lewis Hamilton (Mercedes) 1.235,000

14 Pierre Gasly (AlphaTauri) 1.113,000

15 Sergio Perez (Red Bull) 939.000

16 Antonio Giovinazzi (Alfa Romeo) 854.000

17 Daniel Ricciardo (McLaren) 713.000

18 Sebastian Vettel (Aston Martin) 660.000

19 Fernando Alonso (Alpine) 315.000

20 Esteban Ocon (Alpine) 280.000 (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos