
Në “Intervistë” me Merita Haklajn këtë të premte ishte Jonila Godole nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë, i cili organizon edicionin e tetë të “Ditëve të Kujtesës.”
Gjatë bisedës në studio, zonja Godole tregoi se përse është e angazhuar për disa vite tashmë në betejën për kujtesën, për të mos harruar atë çka na ka ndodhur në vitet e diktaturës.
Ndërsa tregon eksperiencën e saj në Gjermani dhe më mënyrën sesi ky vend e ka trajtuar të shkuarën e tij diktatoriale, Godole shpreh shqetësimin se ende në vendin tonë nuk po vjen një brez që të distancohet nga e shkuara.
“Distanca, të jetuarit në një vend që e kishte kryer ballafaqimin e vet me të shkuarën e vet naziste dhe komuniste, kishte ndikuar në atë pikë që kurrikulat të përmbanin atë informacion që brezi i ri të rritej me mendim kritik...Pas 30 vitesh këtu ende nuk po gjej dot një brez të ri që të distancohet nga ajo që mund të kenë bërë gjyshërit e tyre...Nuk ka fakte për atë që ka ndodhur në të shkuarën. Do të vijojë të besojë një narrativë që pushteti ose media do t’ia servirë,” shpjegon ajo.
Ndërsa përmendi se pasi kanë kaluar më shumë se 30 vite, shohim ende portretin e diktatorit dhe ka deputetë dhe politikanë që mbrojnë regjimin, Godole vlerësoi se kjo tregon që jemi një shoqëri që ende nuk ka nxjerrë mësime nga e shkuara.
Ndërkohë, Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë këto ditë të Kujtesës ka hapur në “Sheshin Skënderbej”, një ekspozitë në fokus të së cilës janë fëmijët e diktaturës.
“Për fëmijët nuk është folur asnjëherë. Kanë vuajtur për gabime të kryera nga prindërit, të afërm të tyre. Sa fëmijë lindën, apo vdiqën në kampe internimi.”
Sa i përket realitetit të sotëm, zonja Godole thekson se Shqipërisë i duhet një pajtim mes palëve, por vetëm pasi pjesa tjetër të deklarohet përgjegjëse për atë që ka bërë.
“Nuk flasim dot as për faj as për falje pasi asnjë nuk u dënua. U shpallën të pafajshëm. Kjo është një dramë e madhe për shoqërinë. Krijoi kultin e pandëshkueshmërisë.”
Por a e kemi ne sot si qytetarë këtë nivel dëshire për ta vendosur veten në vendin e atyre që i kanë përjetuar ato dhimbje të regjimit?
“Mbase duhet të vijë një brez i ri, që ka një distancë të mjaftueshme nga ajo që ka ndodhur dhe ta shohë në mënyrë objektive atë që ka ndodhur. Duke filluar nga familjet e tyre. Por do të jetë vonë për viktimat, për familjarët e tyre,” shpjegon Jonila Godole. (A2 Televizion)