"Ju lidh me litar", pse u fajësua gruaja e Saliajt për "dhunë në familje". Zbardhet padia e divorcit dhe dënimi

Nga A2 CNN
4 Qershor 2021, 14:59 | Kronikë

Vrasja e Kudret Saliajt, ku u plagos edhe ish-prokurori Adriatik Cama, është paraprirë nga një proces gjyqësor divorci dhe një tjetër për “dhunë në familje”. Në të parin, viktima ka qenë kërkuesi i zgjidhjes së martesës, ndërsa në të dytin, gruaja e tij është dënuar me burg për “dhunë në familje”. A2 ka siguruar padinë e divorcit, si edhe vendimin e dënimit të gruas së viktimës. 

Gruaja e tij, Dhurata Saliaj, po gjykohej në masën e sigurisë “arrest shtëpie” për akuzën e “dhunës në familje”, kur Kudret Saliaj kërkoi në Gjykatën e Tiranës të divorcohej prej saj. Në të njëjtën padi, të siguruar nga A2, babai kërkonte kujdestarinë e tre fëmijëve të tij dhe pension mujor nga nëna e tyre. Padia për zgjidhje martese u depozitua në 24 nëntor 2020 dhe këtë të premte ishte seanca e saj e pestë.

Gjatë kësaj kohe, fëmijët e çiftit, të moshës 8, 12 dhe16 vjeç, ishin në kujdestarinë e përkohshme të babait. Sipas të dhënave zyrtare, në seancën e 5 shkurtit, gjykata i dha Dhurata Saliajt të drejtën që të takonte fëmijët e saj çdo të shtunë, nga ora 10 në 12:00, ose në një ditë tjetër pas mbarimit të shkollës, por takimet duhet të zhvilloheshin në prani të një psikologu.

Nga ana tjetër, vendimi gjyqësor për dënimin me 1 vit e 4 muaj burg të Dhurata Saliajt, bashkëshortes së 41-vjeçarit të vrarë, mban datën 11 maj të këtij viti. Referuar vendimit, një kopje e të cilit zotërohet nga A2, Dhurata Saliaj ishte kallëzuar nga vjehrra e saj për dhunë të vijueshme psikologjike, si edhe për dhunë fizike ndaj fëmijëve të mitur. Vjehrra ka deklaruar telefonatat ku nusja e kërcënonte “do të vras ty dhe mbesën e gocën”.

Në vendim zbardhen edhe rrëfimet e të miturve në prani të psikologut, për momentet kur nëna i kishte qëlluar në fytyrë, i kishte pickuar dhe kanosur se po t’i tregonin babait do t’i hidhte nga ballkoni. Një prej fëmijëve ka rrëfyer kërcënimet e nënës me fjalët “do të vras, do të mbys me litar”.

Në gjykim janë provuar përmes një akt-ekspertimi mjeko-ligjor edhe dëmtime fizike në trupin e një prej fëmijëve të çiftit.  (A2 Televizion)

https://a2news.com/2021/06/04/vritet-me-arme-zjarri-nje-person-prane-gjykates-se-tiranes-plagoset-ish-prokurori/?utm_source=a2-related&utm_source=a2pages&utm_campaign=hp-related
https://a2news.com/2021/06/04/vrasja-ne-tirane-viktima-ne-proces-divorci-me-bashkeshorten-qe-ishte-arrestuar-per-dhune-ne-familje/

A2 CNN Livestream

Latest Videos