“Kam pasur ndikim në përzgjedhjen e kandidates së PS në Shkodër”, PD publikon videon e Tom Doshit

Nga A2 CNN
22 Shkurt 2022, 18:31 | Politikë
“Kam pasur ndikim në përzgjedhjen e kandidates së PS

Partia Demokratike ka deklaruar sot se kandidatja e PS-së në garë për bashkinë e Shkodrës Majlinda Angoni mbështetet nga Tom Doshi i shpallur non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Zëdhënësja demokrate Ina Zhupa ka publikuara një video ku Tom Doshi shprehet qartë në mbështetje të kandidates socialiste

“Çdo takim do ta bëj vetëm me mbështetësit e mi kudo. Do t’i jap suportin njerëzve që ta kuptojnë se unë mbështes kandidaten e PS. Dhe që është përzgjedh ajo e kam pas ndikimin tim se ka pas dhe të tjerë që e lakmonin atë vend por mos me dhanë ok ne, nuk ka si hyn kush në garë se nuk janë 500 vota janë 10 mijë vota”, shprehet Tom Doshi.

Sipas PD-së  Tom Doshi është i plotfuqishmi i Edi Ramës në Shkodër dhe kontrollon gjithçka, pavarësisht se është shpallur non grata.

“Çdo tender, emërim, kandidim merr më parë miratimin e Tom Doshit. Siç e konfirmon dhe vetë në takimet elektorale që po zhvillon këto ditë. Edhe kandidaten e PS për bashkinë e Shkodrës siç e konfirmon në videon e mëposhtme e ka përzgjedhur ai. Edhe pse i shpallur non grata nga SHBA, Edi Rama vazhdon ta përdor Tom Doshin, për të manipuluar, shantazhuar e blerë vota, duke e emëruar de fakto si shefi politik dhe drejtues të fushatës së kandidates së PS në Shkodër”.

Sipas Zhupës Edi Rama nuk ndahet dot nga të inkriminuarit dhe të korruptuarit, duke poshtëruar  socialistët shkodranë.

“A ka poshtërim më të madh për socialistët shkodranë që dhe kandidatët e tyre ta përzgjedhë Tom Doshi? A ka turp më të madh për socialistët që gjithçka në emër të tyre ta vendosë Tom Doshi?

Edi Rama nuk ndahet dot nga të inkriminuarit dhe të korruptuarit. Pa ta, ai, asnjë dite nuk do të qëndronte në pushtet.  Socialistët shkodranë me 6 mars kanë mundësinë të mos e pranojnë kandidatin e Tom Doshit.  Me 6 mars votoni për qytetin tuaj, votoni Me Dashni për Shkodrën, votoni Xhemal Bushatin, nr 3 në fletën e votimit”, shprehet ajo. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos