Përfshirja e anëtarësisë në procesin zgjedhor për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë rikthen në vëmendje disa emra të hershëm të Partisë Demokratike, të cilët, me dëshirë apo jo, ishin larguar.
Strukturat e Shkodrës nuk kanë harruar Jozefina Topallin, duke propozuar rikthimin e saj si deputete, ndonëse ish-kryeparlamentarja demokrate u la jashtë listave në 2017. Bashkë me të bie në sy edhe emri i Voltana Ademit, aktualisht kryetare e Bashkisë së Shkodrës, të cilën baza duket se preferon ta kthejë në sallën e Parlamentit.
Nuk surprizojnë strukturat e kryeqytetit me propozimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, ndonëse për shkak të funksioneve të mëhershme ai është automatikisht pjesë e listës finale. Nuk mungojnë as emra të tjerë të njohur si ish-ministri i Jashtëm i demokratëve, Besnik Mustafaj, regjisori Rober Budina, një nga protagonistët e kauzës së Teatrit Kombëtar dhe kreu i forumit rinor, Belind Këlliçi. Demokratët e Tiranës kërkojnë edhe rikthimin si deputet të Aleksandër Biberajt, që u shkëput për disa vite nga partia duke kaluar me Frymën e Re të Bamir Topit, ndërsa tashmë është anëtar i Këshillit Kombëtar të PD.
Në Kurbin nuk heqin dorë nga Mhill Fufi, të cilin demokratët e zonës duan ta rikthejnë deputet, ndonëse ai u përjashtua në 2016 nga grupi parlament i bluve pasi injoroi bojkotin e Parlamentit, duke bashkëpunuar me socialistët. Në Lezhë, ndër emrat e propozuar për deputetë është edhe analisti Agron Gjekmarkaj. Ish-sekretari i përgjithshëm i PD, Arben Ristani, vjen si propozimi i strukturave tw Gjirokastrës për të kandiduar si deputet në këtë zonë, ndërsa në 2017 ishte poshtë në listën e Vlorës pa mundur të hynte në Parlament. (A2 Televizion)