
Kandidati i Partisë Demokratike në qarkun e Vlorës, Atird Hoxha përmes një deklarate për shtyp denoncoi procesin e vaksinimit kundër koronavirusit. Sipas tij, gjatë këtij procesi janë duke u përdorur vaksina të skaduara.
Atird Hoxha, i 11-ti në qarkun e Vlorës, shprehet se disponon fakte që vaksinat që po përdoren sot në qytetin bregdetar kanë skaduar prej disa ditësh.
"Me përgjegjësinë qytetare dhe aspak politike, dua të denoncoj sot, skandalin e vaksinave të skaduara të cilat po përdoren për vaksinimin e qytetarëve të Vlorës. Ne disponojmë foto dhe video të disa vaksinave Sinovac kineze, të cilat kanë datat e skadencave, 4 prill e 6 prill. Ky është një akt kriminal, i kryer në dijeni e vetëdije të plotë nga strukturat drejtuese të shëndetësisë në Vlorë dhe të atyre që i kanë dërguar nga Tirana.
Ky është një akt kriminal në dëm të shëndetit të qytetarëve të Vlorës, të cilët janë vaksinuar deri tani me vaksina të skaduara, të cilat nuk kanë asnjë efekt pozitiv për t'u mbrojtur nga virusi apo dhe mund të shkaktojnë efekte anësore", deklaroi Atird Hoxha. (A2 Televizion)