
Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca, i shoqëruar nga ambasadorja e Francës, Elisabet Barsak dhe ambasadori gjerman, Peter Zingraf, kanë zhvilluar ditën e sotme takime me drejtuesit politik të disa prej partive kandiduese në zgjedhjet e 25 prillit.
Pas takimit me Taulant Ballën, Gazment Bardhin dhe Rudina Hajdarin, në një konferencë për shtyp, Soreca u shpreh se prisnin një fushatë të përqendruar te programet dhe jo te sulmet.
Po ashtu, ambasadori i BE-së shtoi se dëgjuan shqetësime për blerje dhe shitje votash.
“Donim të shihnim një fushatë të përqendruar te programet, te qytetarët shqiptarë dhe nevojat e tyre dhe jo të përqendruar te sulmet dhe intimidimet.
Ua përsëritëm këtë mesazh të gjithë liderëve që takuam dhe dëgjuam edhe këndvështrimet dhe shqetësimet e tyre. Ajo që është e rëndësishme dhe thelbësore është që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme dhe të pranohen nga palët.
Dëgjuam shqetësime për blerjen e votës, e cila është vepër penale, parashikohet në ligj, dëgjuam edhe për shitje vote.
Ne do të jemi në vëzhgim të zgjedhjeve. Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për qytetarët shqiptarë, por edhe për BE-në dhe të ardhmen e vendit në Bashkimin Europian”, deklaroi Soreca. (A2 Televizion)