Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dalë në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp në lidhje me çështjen e rrjedhjes së të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë, që sipas tij kontrollohen nga të ashtuquajturit patronazhistë të Partisë Socialiste.
Kreu i Shtetit ka drejtuar disa pyetje që sipas tij duhet të marrin sa më shpejt përgjigje dhe ftoi SPAK të reagojë sa më shpejt.
“Unë kam disa pyetje si president i Republikës. Do të jem në lartësinë e detyrës dhe çdo shqiptar do të jetë në krye të detyrës dhe çdo detyrë që do kërkojë mbrojtja e votës. Mbrojtja e votës është mbrojtja e atdheut. SPAK-u është i zënë se po heton disa afera. Kur u krijua kjo bazë të dhënash dhe ku ruhet? A janë këto të dhëna me ato që ia kanë besuar e-Albania? A kemi harxhuar miliona euro për ruajtjen e të dhënave në mënyrë të pacenuar? Të më dëgjojnë të gjithë sipërmarrësit. Cilat janë tashmë garancitë që iu ofrohen qytetarëve në kushtet e rrjedhjes së të dhënave? Unë personalisht Ilir Meta, president i Republikës nuk kam deklaruar asnjëherë për administrimin e të dhënave të mia. Pyes Ramën si kryeministër me ç’të drejtë i ke marrë të drejtat e shtetasve shqiptarë”, u shpreh Meta. (A2 Televizion)