
Situata e tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë ishte kryefjalë e konferencës së përjavshme e Sali Berishës me gazetarët.
Ai akuzoi presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin Edi Rama për koordimin të veprimeve mes tyre me synimin e vetëm ndarjen e Kosovës.
“Rama dhe Vuçiç po koordinojnë gjithnjë në projektin e tyre të mëparshëm. Çdo ditë Vuçiç, njeriu që e ka vendin në Hagë, flet për luftë. Thotë se Albin Kurti do luftë, si mund të dojë një vend pa ushtri luftë? Luftë do ai me vëllain e tij në Tiranë, sepse duan ndarjen e Kosovës. Prandaj i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të jetë i vëmendshëm ndaj veprimeve të këtyre dy autokratëve famëzinj.”
Anulimi i mbledhjes së përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe asaj të Kosovës nga Rama dhe marrja peng e 3 policëve kosovarë nga serbët, sipas Sali Berishës janë dy ngjarje të lidhura me njëra-tjetrën, ku për qëllim kanë përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës.
Veprimet e kreut të Qeverisë së Tiranës, Berisha i lidh edhe me çështjen McGonigal në SHBA.
“Mos u çudisni kur të vrapojë në Beograd me Ismailin dhe t’i sjellë në Tiranë se i duhet të tregojë një peshë për të lehtësuar veten përpara procesit McGonigal. Gjithçka po e bën për mbijetesën para një procesi që i qëndron si Shpata e Damokleut dhe nuk ka forcë në botë që mund ta shpëtojë.”
Rikthimi në dialogun e ndihmuar nga ndërkombëtarët, Berisha e ka cilësuar si një nga elementet që mund të sheshojë tensionet mes Kosovës e Serbisë.
"Përsëris thirrjen time ndaj autoriteteve të Kosovës që të bashkëpunojnë për shtensionimin e situatës dhe rikthimin sa më parë te Marrëveshja e Ohrit si një marrëveshje e cila në vlerësimin tim, jep një përparim të madh në marrëdhëniet mes dy vendeve."
Ndërkombëtarët i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të ulin tensionet mes tyre dhe te gjejnë zgjidhje për situatën në veri të Kosovës. (A2 Televizion)