
Kandidatja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Silvi Caka, e cilësoi tërësisht politik vendimin e Komitetit Teknik të Ekspertëve për të vendosur karantinë 14-ditore për qytetarët që hyjnë nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia.
Sipas Silva Cakës, pjesa më e madhe e Komitetit Teknik të Ekspertëve janë pjesë e strukturave të PS dhe e morën këtë vendim për të penguar shqiptarët të shprehin me votë urrejtjen e tyre kundër Rilindjes së Edi Ramës.
“Sigurisht që është e qëllimshme. Sepse ne kemi parë raste kur qytetarët kanë ardhur në Shqipëri, e kanë respektuar dhe karantinën, kur ishte situata shumë më e nderë se kaq. Nëse ditën e zgjedhjeve respektohen të gjitha masat e një pandemie, unë nuk shoh asnjë rrezik. Të mos harrojmë dhe diçka. Të gjithë qytetarët kur vijnë nga jashtë i nënshtrohen një tamponi dhe nëse ai nuk del pozitiv për çfarë duhet t’i karantinojmë për 14 ditë, për t’iu penguar të drejtën e votës?
Të gjithë ekspertët e Komitetit Teknik janë pjesë e strukturave të Partisë Socialiste. 1 prej tyre është kryetar organizate, flas për zv.ministren Mira Rakacolli, Areti Beruka është gjithashtu pjesë e strukturave të PS-së, çfarë prisni për një vendim teknik. Ky është një vendim politik. Ky vendim u ankimua në Gjykatën Administrative nga LSI”, tha Silva Caka për A2. (A2 Televizion)