Ish-kampioni i botës në shah, Anatoli Karpov, ndodhet në koma të induktuar pas një aksidenti në banesën e tij. Lajmin e ka bërë të ditur vajza e tij, Sofia.
Ajo ka mohuar zërat që flisnin për një sulm të mundshëm ndaj tij, të shtunën e kaluar. Ky version, i përhapur përmes kanalit rus Telegram 112, siguroi, pa cituar burime, se shahisti ishte gjetur pa ndjenja pranë selisë së Dumës, Dhoma e Ulët e Parlamentit rus, ku ai është deputet i Rusisë së Bashkuar, partia e Vladimir Putinit. Mjekët, sipas kanalit të sipërpërmendur, kishin konstatuar dëmtime në kokë, frakturë në këmbë dhe gjendje të fortë intoksikimi.








Informacionet për ngjarjen janë në kundërshtim me njëri-tjetrin, por gjendja e Karpovit, sipas burimeve të ndryshme, është e qëndrueshme. Këtë e ka bërë të ditur edhe Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Shahut (FIDE), Arkady Dvorkovich: “Sapo mora lajmin nga një burim i besueshëm se ish-kampioni i botës, Anatoli Karpov, po e përballon mirë. Ne mezi presim një shërim të plotë të tij”.
Karpov mbajti titullin e kampionit të botës nga viti 1975 deri në vitin 1985. Gjatë karrierës së tij të gjatë, ai fitoi më shumë se 160 turne dhe mbeti në mesin e 100 më të mirëve në renditje për 38 vjet. Ai u konsiderua lojtari më i mirë i vitit nëntë herë dhe luajti dhjetë finale për titullin botëror. (A2 Televizion)