Komisarët e FIA-s kanë nxjerrë rezultatet e hetimit të aksidentit masiv që ndodhi në rinisjen e garës në Mugello.
Makina e sigurisë i fiku dritat e saj vetëm në kthesën e fundit dhe kryesuesi i garës në atë moment, Valtteri Bottas, u vu në vështirësi pasi nuk kishte krijuar avantazhin e duhur para se të kalonte vijën e finishit, momenti kur lejohen parakalimet pasi makina e sigurisë rifutet në bokse.
Finlandezi i Mercedesit uli shumë shpejtësinë në vijën e drejtë, duke grumbulluar nga pas të gjitha makinat e tjera. Disa prej tyre menduan se gazi ishte hapur, duke shkaktuar një aksident që mund të kishte pasur pasoja të rënda.
Romain Grosjean tha në radio: “Kushdo që është në kryesim bëri një idiotësi të madhe. Kërkon të na vrasë ai? Gjëja më e keqe që kam parë ndonjëherë”.
Por, komisarët e pistës nuk e mendojnë kështu. Sipas tyre, Bottas nuk ka asnjë faj sepse “ka të drejtë të imponojë ritmin si kryesues gare” dhe fajin e kanë 12 pilotë “për veprime të pamatura me frenat dhe hapjen e gazit në vijën e drejtë”. (A2 Televizion)
