
Partizani përballet sot me Skënderbeun në ndeshjen e fundit të fazës së parë të kampionatit. Të kuqtë kërkojnë fitoren që do t’i sillte edhe kryesimin teksa Bylisi i vendit të parë është dy pikë larg.
Në javën e nëntë, Tirana u mund 3 me 1 në Ballsh nga Bylisi dhe tashmë me shumë se pozicionimi në renditje, humbja mund t’i shkaktojë bardhebluve, largimin e trajnerit Mema.
Marrja e drejtimit të kurbinasve nga trajneri Armando Cungu dha efekt menjëherë tek Laçi që mposhti pastër 3 me 0 Teutën. Kukësi ndërkohë rigjen qetësinë edhe rikuperon pozicione në renditje falë fitores 4 me 1 ndaj Luftëtarit.
Fitore edhe për Vllazninë që mundi 3 me 1 Flamurtarin e vendit të fundit, me vlonjatët që pas një faze të plotë nuk arrijnë ende të shijojnë fitoren e parë. (A2 Televizion)