
Belind Këlliçi i Partisë Demokratike, me anë të një deklarate nga Gjykata Penale, nga ku u njoh me akuzën për shpifje nga Adrian Çela, tha se kjo është “tentativë e dëshpëruar për të shantazhuar opozitën”.
“Sot erdha në seancën ku duhet të përballesha me "viktimën" akuzuese Adrian Çelën, drejtorin famoz të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes të Energjisë Elektrike. U njoha me një akuzë, akuzohem për shpifje për shkak se kam bërë publike dy kallëzime të bëra në SPAK për krime zgjedhore nga ana e Partisë Demokratike dhe Opozitës së Bashkuar në lidhje me masakrën zgjedhore që është zhvilluar më 25 prill, vendi kur është ekzekutuar kjo masakër zgjedhore, në mënyrë perfekte, pa diskutim ka qenë Qarku i Durrësit, qyteti i Durrësit, ku vetëm javën e fundit zgjedhore, 5 ditët e fundit, janë disbursuar 6 milionë Dollarë nga fondi i rindërtimit. Ku janë dhënë me mijëra leje ndërtimi. Tani që po shemben shtëpitë e qytetarëve, janë dhënë certifikata legalizimi, janë shpërndarë cash etj... Kjo është një tentativë sigurisht e dëshpëruar për të shantazhuar opozitën, për t'i mbyllur gojën kujtdo që ngre zërin dhe kërkon transparencë mbi masakrën zgjedhorë të ndodhur më 25 prill dhe një tentativë për të zhvendosur vëmendjen”, deklaroi Këlliçi.
“I tmerruar nga fakti që nuk e kërkon vetëm PD dhe Opozita e Bashkuar transparencën për zgjedhjet e 25 prillit, por tashmë edhe partnerët tanë strategjikë, Adrian Çela me sa duket ka marrë porosi për të shantazhuar drejtuesit e opozitës me këto pseudopadi. E prita "viktimën" akuzuese në seancë për t'u përballur, sigurisht si shokët e tij, si Erjon Veliaj, nuk erdhi. Unë këtu do të jem. Nëse mendojnë se na shantazhojnë, nëse mendojnë se ka ndonjë drejtues, funksionar politik, apo individ brenda PD që do të heshtë për atë çka ndodhur realisht më datë 25 prill e kanë gabim. Aq më tepër një njeri si unë që çdo ditë përballet me dhjetëra të rinj që largohen për shkak se shansi i fundit i tyre ishte 25 prilli për të qëndruar në këtë vend. Atë mandat të vjedhur, atë shpresë të grabitur që i kanë bërë të rinjve mbi të gjitha ta harrojnë se ne do ta lëmë pa përmendur dhe do të ulim zërin”, shtoi Këlliçi. (A2 Televizion)