
Vendet e pasura po nxitojnë të grumbullojnë doza të vaksinave anti-COVID dhe personat që jetojnë në shtetet e varfra, mund të mbeten pa gjë. Paralajmërimi vjen nga Aleanca e Vaksinës për Njerëzit, një rrjet organizatash ku përfshihet Amnesty International, Oxfam dhe Global Justice Now.
Sipas këtij organizimi, rreth 70 shtete me të ardhura të ulëta do të jenë në gjendje të vaksinojnë vetëm 1 në 10 persona. Kjo pavarësisht zotimit të Oxford dhe Astra Zeneca për të ofruar 64 për qind të dozave të prodhuara prej saj, për njerëzit në vendet në zhvillim.
“Askush nuk duhet penguar për të marrë vaksinën që shpëton jetë, për shkak të vendit ku jetojnë, apo parave që kanë në xhep. Por nëse nuk do të ketë ndryshime të rëndësishme, miliarda njerëz rreth botës nuk do të marrin një vaksinë të sigurtë dhe efikase për COVID-19”, deklaroi Anne Marriot, e organizatës OXFAM.
Hapa po ndërmerren për të siguruar që qasja ndaj vaksinës të jetë e barabartë rreth botës. Covax, mekanizmi që synon të garantojë shpërndarje të shpejtë të drejtë e të barabartë të vaksinës, ka arritur të sigurojë 700 milionë doza të destinuara për 92 vende me të ardhura të ulëta.
Por, pavarësisht planit në fuqi, Aleanca e vaksinës për njerëzit, tha se dozat nuk mjaftojnë dhe se kompanitë farmaceutike duhet të ndajnë informacionet teknologjike për të mundësuar prodhimin e më shumë dozave.
Në analizën e saj, aleanca zbuloi se vendet e pasura kanë siguruar doza të mjaftueshme për të vaksinuar tri herë popullsitë e tyre, nëse të gjitha vaksinat do të aprovohen. Kanadaja për shembull, ka urdhëruar vaksina të mjaftueshme për të mbrojtur çdo kanadez, 5 herë. (A2 Televizion)