
Franca do të vonojë lehtësimin e disa kufizimeve të bllokimit të COVID-19 nëse është e nevojshme, për të shmangur një valë të tretë të infeksioneve. Paralajmërimi erdhi nga zëdhënësi i qeverisë franceze, Gabriel Attal.
Franca pritet të rihapë kinematë, teatrot dhe muzetë dhe të lejojë qytetarët të lëvizin midis rajoneve më 15 dhjetor, por ka shenja që mund të mos i plotësojë kushtet.
"Nëse e konsiderojmë që ne duhet ta modifikojmë këtë fazë të dytë, të heqjes së masave të bllokimit, atëherë sigurisht që do ta bëjmë atë", tha Attal.
Presidenti Emmanuel Macron do ta diskutojë këtë çështje me ministrat e lartë, të mërkurën. Ai fillimisht kishte vendosur një objektiv prej 5000 infeksionesh të reja në ditë dhe më pak se 3000 pacientë me COVID në kujdes intensiv, përpara se bllokimi të lehtësohej.
Numri i pacientëve të shtruar në terapi intensive në të gjithë vendin qëndron pak mbi 3000, ndërsa numri i rasteve të reja të konfirmuara u rrit me mbi 13 000, të martën.
Zyrtarët e shëndetësisë e pranojnë se objektivi prej 5000 rastesh ditore është pothuajse i paarritshëm deri në 15 dhjetor. (A2 Televizion)