Kequshqyerja e fëmijëve

Nga A2 CNN
20 Nëntor 2021, 11:57 | Sociale
Kequshqyerja e fëmijëve

Kequshqyerja e fëmijëve nuk është një mit apo fenomen i rrjeteve sociale për të bërë lajm dhe ofruar këshilla për t’u lexuar. Nëse zbresim në terren, lehtësisht shohim që konsumimi i ushqimeve të pashëndetshme nga fëmijët dhe adoleshentët, është një fakt dhe një këmbanë alarmi për familjen dhe institucionet.

Me nisjen e vitit të ri shkollor, në letër, u propozua nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Arsimit ndalimi i tregtimit të ushqimeve të paketuara, të konservuara dhe ushqimeve të shpejta në “fast food”. Por, asgjë nuk ka ndryshuar afro 2 muaj më vonë nga firmosja e këtij udhëzuesi. Fëmijët dhe adoleshentët vazhdojnë të blejnë ushqime të pashëndetshme në kioskat pranë shkollave, e madje disa prej këtyre ushqimeve u kalohen edhe nga përtej kangjellave.

Mbështetje në disa raste fëmijët gjejnë edhe te prindërit, të cilët ua blejnë vetë ushqimin e “fast food”-it. Të pyetur se përse preferojnë më tepër ushqimin e shpejtë se atë të shtëpisë, fëmijët dhe adoleshentët kanë këto përgjigjje: “E kam bezdi që të marr ushqim nga shtëpia. Më mirë i marr në “fast food”. Na thonë në shkollë që të marrim nga shtëpia, por nuk marrim”.

Ka dhe nga ata që marrin gatimet e nënës ose gjyshes në shkollë, kryesisht fëmijët më të vegjël në moshë.

Të shqetësuar janë edhe prindërit, të cilët mundohen t’i edukojnë fëmijët me ushqimin e shtëpisë: “Nuk kam siguri te ushqimet që shiten jashtë. Nuk i japim lekë në duar fëmijëve”.

Por, cilat janë pasojat e një ushqyerje të pashëndetshme te fëmijët?

“Moszhvillimi i mirë apo edhe sëmundje të ndryshme”, thonë ekspertët.

Si risk, përtej yndyrnave të pashëndetshme dhe sigurisë ushqimore, përdorimi i lartë i kripës është një tjetër problem për fëmijët. Dietologët sugjerojnë shmangien e gatimeve me vajra të pakontrolluar, duke rekomanduar një dietë të pasur me vaj ulliri.

Sipas të dhënave të ISHP, publikuar në vitin 2019, 22% fëmijëve 8-9 vjeç janë mbipeshë, prej të cilëve 10% janë obezë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos