
Deputeti Korab Lita ishte i ftuar në Ditarin e orës 13:00 në A2 nga ku përjashtoi kategorikisht që ai të ketë lidhje me kërcënimet ndaj Rudina Hajdarit, për të cilat kjo e fundit foli një ditë më parë në parlament.
“Unë jam koleg i zonjës Hajdari. Edhe nga origjina e familjes së Hajdarit, jemi prej vitesh të djathtë dhe në Partinë Demokratike dhe nuk ka asnjë lloj shansi apo mënyre që unë të përplasem me zonjën Hajdari, aq më tepër për kërcënime, plus që nuk burojnë nga origjina dhe mënyra e ime e të bërit politik. As nuk duhet ta mendoni një gjë të tillë. Nëse zoti Karamelo ka diçka le ta çojë në organet kompetente”.
Përçarje në grupin demokrat?
“E gjithë ngjarja që ka ndodhur në grupin parlamentar demokrat është një ngjarje që ndodh në çdo grup parlamentar, ka diskutime, riformatime, ka zëvendësime, ka dorëheqje. Këto ndodhi për efekt të mbarëvajtjes së punës. Procedura ka qenë krejt e thjeshtë. Hajdari është dorëhequr mbas një mbledhje ku ka qenë i gjithë grupi. Mbas 3 ditësh doli dhe deklaroi se nuk është dorëhequr. Ajo ka qenë prezente, por unë nuk dua të hyjë më këtij diskutimi pasi Shqipëria ka shumë probleme për të diskutuar”.
“Përpjekje ekstra ligjore për të shkelur rregullat”
“Në bazë të rregullores, thjesht i bëhet e ditur kryetarit të Kuvendit, por ai në ato momente nuk e ezauroi atë të drejtë. Për këtë arsye unë dola dhe thash se kryetari nuk po zbaton rregulloren e Kuvendit.
Reforma zgjedhore
“Nuk ka asnjë fragmentarizim. Ne i kemi bërë të qarta qëndrimet tona për të bërë më të mirën e mundshme për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Ne mendojmë se ndryshimi i sistemit zgjedhor është “thembra e Akilit” ku do të fillojë edhe pushteti i ligjshëm, i cili buron vetëm nga vota e lirë e qytetarëve. Ne nuk kemi asnjë amendim të propozuar, pasi ne synojmë ndryshimin e sistemit. Reforma zgjedhore po synohet të trajtohet me dy faza, por kjo është e gabuar. Rekomandimet e ODIHR janë detyra për këtë klasë politike, janë mungesë e standardeve. Kjo nuk është reformë”, tha Lita. (A2 Televizion)