Kuvendi do të votojë më 13 nëntor për dy anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Kështu u vendos të martën në seancën e Komisionit të Ligjeve, ku ishin të ftuara edhe tre kandidatet e propozuara nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Arta Vorpsi, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji.
Komisioni i Ligjeve kishte thirrur në seancë dëgjimore kandidatët që garojnë për dy vende vakante në Gjykatën që bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës. Nga tre zonjat në garë, Parlamenti do të duhet të zgjedhë me 84 vota anëtarët e Kushtetueses. Nëse procesi ecën pa problem, në 14 nëntor Gjykata Kushtetuese do të ketë 5 anëtarë. Që të jetë funksionale do të duhet edhe një i gjashtë.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dërgoi më 14 tetor 4 kandidatë, mes tyre edhe Besnik Muçin, i cili ishte po ashtu edhe në listën e kandidatëve të Presidentit. Kreu i shtetit zgjodhi pikërisht atë për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se ai është ende në pritje të vendimit përfundimtar të vetting-ut. Sipas afatit, Presidenti do të duhet të përzgjedhë anëtarin e dytë deri më 8 nëntor, ndërsa Parlamenti ka afat final për vakancat e tij, 14 nëntorin.
Përplasja Presidencë-Kuvend dhe mosveprimi i Gjykatës së Lartë
Gjykata Kushtetuese është kthyer në një lojë shahu mes Parlamentit dhe Presidencës. Kjo e fundit kërkon që Parlamenti të zgjedhë kandidatin e radhës dhe kësisoj të bëjë ai lëvizjen e dytë, duke u mbështetur në nenit kushtetues, sipas të cilit, anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë.

Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet. Por siç u shpreh para pak ditësh në A2 këshilltari i Presidentit për çështjet ligjore, Bledar Dervishaj, Kuvendi nuk ka vullnet as për këtë rregull dhe as për plotësimin e mangësive ligjore. Nga ana tjetër problematikën e ka shtuar edhe mosveprimi i Gjykatës së Lartë. (A2 Televizion)