Kërcënimi "Delta", rritja e infektimeve shqetësuese, vaksinimi mbron nga format e rënda

Nga A2 CNN
8 Korrik 2021, 15:16 | Aktualitet
Kërcënimi "Delta", rritja e infektimeve shqetësuese,

Vera nuk do te jetë dhe aq e qetë sa e kishim menduar. Brenda muajit gusht e gjithë Europa do të dominohet nga varianti “Delta” i koronavirusit. Përjashtim nuk bën as Shqipëria. Ende nuk është konfirmuar zyrtarisht prania e mutacionit indian, por sipas ekspertëve jemi të rrezikuar në çdo moment, madje virusi mund të jetë mes nesh.

"ECDC përllogarit që 70% e rasteve më 1 gusht do të jenë variant Delta dhe në fund të gushtit  90% e rasteve do të jenë variant "Delta" në Europë. Edhe në Shqipëri do të hyjë, në mos ka hyrë, sepse ne nuk bëjmë sekuencim gjenetik, por aktualisht rastet janë ende të pakta", thotë për A2 epidemiologu, Ilir Alimehmeti.

Alimehmeti thekson se rreziku i ri infektimeve është njësoj si nga variantet e tjera të koronavirusit. Por vaksinimi mundëson uljen e formave të rënda, shtrimeve në spital dhe humbjeve të jetës.

"Risku i riinfektimit është njësoj si gjithë variantet e tjera. Imunizimi nga vaksinat, Pfizer, Astra Zeneca, Moderna janë testuar dhe kanë treguar se efektiviteti është pak më i ulët tek infektimi, por mbrojtja nga shtrimi në spital është shumë i lartë dhe shkon nga 92-96 për qind", vijon ai.

Qarkullimi i varianteve të reja të koronavirusit ka rikthyer alarmin në Europë, por edhe në vendet përtej kontinentit. Por epidemiologu Alimehmeti është optimist dhe thotë se vala e vjeshtës nuk do të jetë më e ashpër se ato që kaluam.

Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht, Shqipëria është e paprekur nga varianti indian. Ndërkohë, rritja e infektimeve dy ditët e fundit, nga 2 raste pozitive në 7 dhe më pas 13, po shihet me shqetësim nga specialistët edhe pse sipas tyre vijojmë të jemi në pozitivitet shumë të ulët nga COVID-19. Ndërkohë, ekspertët bëjnë thirrje për kujdes dhe respektim të masave anti-covid. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos