
Ajo që po bën Rusia në Ukrainë po shtyn edhe më shumë vende drejt NATO-s. Suedia po analizon situatën e re me sigurinë rajonale dhe globale, teksa të gjitha opsionet mbeten të hapura, përfshirë anëtarësimin në aleancën ushtarake veri atlantike.
Peter Hultqvist, ministër i Mbrojtjes i Suedisë, tha: “Ne tani po shqyrtojmë të gjitha opsionet e sigurisë për Suedinë. Aderimi në NATO është një nga opsionet, por kemi edhe opsione të tjera që do t’i analizojmë. Do të vijmë me një raport në mes ose në fund të majit se si do të bëjmë në të ardhmen”.
Komentet e tij erdhën gjatë një vizite zyrtare në Letoni. Duke folur në një bazë ushtarake, ai nënvizoi se Rusia po kryen veprime shumë të këqija dhe duhet një reagim në një lloj mënyre.
Partia Socialdemokrate në pushtet në Suedi, deri më tani kishte refuzuar aderimin në NATO, me arsyetimin se statusi ushtarak neutral i ka shërbyer mirë vendit. Por, pushtimi në Ukrainë ka ndryshuar gjithçka.
Kështu po rezulton edhe për Finlandën, shtet i cili nisi zyrtarisht një debat publik lidhur me vendimin për t’ju bashkuar ose jo NATO-s. Një vendim zyrtar pritet brenda pak javësh, teksa sondazhet tregojnë një maxhorancë të madhe në favor të aderimit në aleancën ushtarake.
Pekka Haavisto, ministër i Jashtëm i Finlandës, tha: “Ne mund të shohim që Rusia është në gjendje të rreshtojë 100 mijë ushtarë kundër një vendi të vetëm, edhe pa e provokuar. Mund të shohim edhe diskutime për përdorimin e mundshëm të armëve taktike bërthamore apo kimike, mundësia është ulur të paktën në debat dhe sigurisht ne, pala finlandeze, duhet të jemi gati për skenare të ndryshme të sigurisë”.
NATO nuk ka përjashtuar mundësinë e zgjerimit me anëtarë të rinj, por thekson se aplikimi për aderim është një çështje që u takon vendeve të tilla si Suedia apo Finlanda. Por, Rusia kundërshton duke argumentuar se kjo lëvizje nuk do të përmirësonte stabilitetin në Europë.
Madje, ka pasur edhe kërcënime se Suedia dhe Finlanda mund të përballeshin me pasoja të rënda nëse aplikojnë për në NATO. (A2 Televizion)