
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, mbrojti në Kuvend marrëveshjen për normalizim ekonomik me Serbinë, të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë.
“Unë e kam parasysh se kjo marrëveshje nuk është perfekte, por nuk është e dëmshme dhe rrezikshme për Kosovën. Përkundrazi e ka fuqizuar subjektivitetin shtetëror të Kosovës dhe e kthen Kosovën”, tha Hoti.
Por për Lëvizjen Vetëvendosje, Kosova doli duarbosh në Uashington.
“Asgjë nuk fitoi Kosova dhe asgjë nuk humbi Serbia. Krahasuar në pritet që na keni thënë këtu. Pra duhet të thuhet e vërteta se Kosova nuk fitoi asgjë nga nënshkrimi juaj zotëri Hoti. Nga ai nënshkrim më shumë kanë fituar të tjerët dhe Serbia”, u shpreh kreu i grupit të Vetëvendosje.
I pari i qeverisë u zotua të mbronte integritetin territorial të vendit, ndërsa raportoi para të zgjedhurve të popullit për dialogun me Serbinë. Hoti kërkoi unitet politik për këtë çështje dhe theksoi se nuk do të ketë zgjidhje kreative, por vetëm njohje reciproke mes vendeve.
“Integriteti territorial i Kosovës është i panegociueshëm, e dyta organizimi kushtetues i Kosovës është i panegociueshëm dhe sistemi unitar i Kosovës nuk mund të preket dhe diskutohet”, shtoi Hoti.
Gjithashtu komentoi dhe një temë që është mjaft e nxehtë në Prishtinë, atë të Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë.
Kryeministri Hoti siguroi deputetët se për të gjitha temat e dakordësuara në Bruksel, vlen parimi se mund të rrëzohen nëse nuk arrihet marrëveshja finale Kosovë-Serbi. (A2 Televizion)