
Liderët e vendeve të Bashkimit Europian mirëpritën marrëveshjen e arritur në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë më 18 mars, në Ohër. Në deklaratën me konkluzionet e samitit dyditor të zhvilluar në Bruksel, ata u bëjnë thirrje palëve të zbatojnë me shpejtësi dhe mirëbesim detyrimet që burojnë nga marrëveshja.
Këshilli Evropian mirëpret marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe planin e zbatimit të saj, të arritur në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si pjesë integrale e rrugës së tyre evropiane, dhe u bën thirrje të dyja palëve që të zbatojnë me shpejtësi dhe në mirëbesim detyrimet e tyre përkatëse.
Konkluzionet e Këshillit Europian
Plani evropian kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra-tjetrës. Ai kërkon që palët të mos pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese, por nuk përmend njohje të ndërsjellë. Mosnënshkrimi i dokumentit në takimin e Ohrit nxiti mëdyshje nëse marrëveshja mund të trajtohet si ligjërisht e detyrueshme.
Por Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara theksuan se pavarësisht mosfirmosjes, ujdia është detyrim ligjor që përfshin edhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të mëparshme të arritura në bisedimet mes palëve. Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrell, i cili raportoi në Këshillin Evropian, tha se çdo përpjekje për të vënë në pikëpyetje marrëveshjen, është e kotë.
Marrëveshja është arritur dhe duhet të zbatohet. Nuk ka vend për zgjedhje, duhet të zbatohet në tërë si nga të gjitha palët dhe ne do të vëzhgojmë me kujdes se kush e zbaton dhe kush nuk e zbaton. Dhe do t’i këshilloja (Kosovën dhe Serbinë) që të mos e drejtojnë gishtin ndaj askujt, por të kryejnë punën e tyre.
Konkluzionet e Këshillit Europian
(A2 Televizion)