Këshilli i Legjislacionit miraton zgjatjen e afateve të vetingut, nisma shkon në seancë plenare

Nga A2 CNN
21 Janar 2022, 16:03 | Politikë
Këshilli i Legjislacionit miraton zgjatjen e afateve të vetingut,

Pas një mbledhje që zgjati rreth 1 orë e 30 minuta, pavarësisht mungesës së  përfaqësuesve të Partisë Demokratike, mazhoranca socialiste në Këshillin e Legjislacionit miratoi ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e afateve të organeve të vetingut. “Kemi pasur një marrëveshje politike që të mos e lëmë kalin në mes, por të vazhdojmë përpara”, tha deputeti socialist, Damian Gjiknuri.

E vetmja që kundërshtoi ishte deputetja e LSI, Erisa Xhixho, me argumentin se besueshmëria e organeve ekzistuese ka rënë edhe për shkak se, sipas saj, nuk arritën të përmbyllnin procesin brenda afateve të përcaktuara. “Nuk mund t’u zgjasim aftin disa individëve që nuk kanë besueshmëri nuk kanë gjithë mbështetjen për standardet e vendimmarrjeve të tyre”, tha Xhixho.

Nisma e miratuar nga Këshilli i Legjislacionit do t’i kalojë tashmë seancës plenare aty ku socialistëve do u duhen edhe votat e kolegëve demokratë për të arritur një shumicë prej 2/3 që nevojiten për miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Kjo do të lejonte që afati maksimal për përmbylljen e këtij procesi të shtyhet nga qershori i këtij viti në dhjetor 2024. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos