“Mbyllja e shkollave për mungesën e ngrohjes, turp kombëtar”, PD: Dështim i Ramës me arsimin

Nga A2 CNN
21 Janar 2022, 11:38 | Politikë
“Mbyllja e shkollave për mungesën e ngrohjes, turp

Partia Demokratike e ka konsideruar një dështim të jashtëzakonshëm të qeverisë, mbylljen e shkollave për shkak të të ftohtit në vend. Në një deklaratë për mediat, deputetja demokrate, Merita Bakiu, tha se prej 6 vitesh qytetarët e Tiranës paguajnë taksë për arsimin, por nuk ka siguruar kushtet minimale në shkolla.

“Mbyllja e shkollave për shkak se në dimër bën ftohtë, është një dështim i jashtëzakonshëm i qeverisë së Edi Ramës me arsimin. Në 8 vjet, jo vetëm që nuk ka bërë asnjë hap përpara për të rritur cilësinë në arsim, por qeveria e Edi Ramës nuk ka siguruar as kushtet minimale për ngrohje në shkolla. Të njëjtën situatë e kemi denoncuar edhe vjet, edhe para dy vitesh, por siç shihet nuk ka ndryshuar asgjë. Masa e vetme për fëmijët është mbyllja e shkollave në vend të krijimit të kushteve normale për të mësuar edhe në dimër. Prindërit dhe nxënësit në Bashkinë e Tiranës pyesin çfarë u bë me 35 milionë euro që Erion Veliaj mblodhi 6 vitet e fundit si taksë për infrastrukturën në arsim? A siguroi ai ngrohje në shkollat e kryeqytetit? Fakti që shkolla po mbyllet 3 ditë me radhë se do të bëjë disi ftohtë në kulmin e dimrit, tregon që 35 milionë eurot e mbledhura nga taksa ekskluzive për arsimin nuk shkuan për të ndërtuar një sistem funksional për ngrohjen e shkollave”.

Ajo akuzoi kryebashkiakun e Tiranës, Dibrës, Durrësi dhe Lushnjës se nuk kanë arritur të sigurojnë ngrohje në shkolla.

“Erion Veliaj nuk ka hequr dorë nga tenderat prej miliona lekësh, që nuk dihet ku përfundojnë. Për këtë vit shkollor, Erion Veliaj ka tenderuar mbi 175 mijë euro për ngrohje, por shkollat do të mbyllen, se ngrohje nuk ka. Sistemet e kaldajave nuk punojnë, rrjeti elektrik nuk mban ngarkesë. Dhe kur kjo gjendje është në zemër të kryeqytetit, çfarë mund të pritet në zona më të thella? Shohim Bashkinë e Dibrës, ku shumë shpejt do të ketë edhe zgjedhje. Edhe këtu janë tenderuar 105 mijë euro për ngrohje, megjithatë shkollat nuk kanë ngrohje dhe do të mbyllen nga i ftohti.

Ka edhe nga ato bashki të cilat as që kanë marrë ndonjë masë për ngrohje, duke bërë shpenzime minimale për nxënësit. Durrësi dhe Lushnja, ku do të ketë zgjedhje më 6 mars, mbajnë rekord për neglizhencë kriminale për të siguruar ngrohje në shkolla”.

Duke e konsideruar një turp kombëtar, Bakiu thekson se: “Rama ka shpenzuar rreth 1 milionë e gjysmë euro për kryeministrinë, ndërsa fëmijët detyrohen nga qeveria të qëndrojnë pa mësim nga mungesa e ngrohjes në shkolla”.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos