Këshilli Politik, Bylykbashi: Drafti final, të hënën

Nga A2 CNN
12 Qershor 2020, 16:02 | Politikë
Këshilli Politik, Bylykbashi: Drafti final, të hënën

Fondet publike për partitë do të dyfishohen ndërsa financimet private në fushatë mund të jenë deri në 3 herë më shumë se ato që jep shteti. Ndërsa reklamat në media gjatë fushatës zgjedhore do të lejohen. Këto janë çështjet për të cilat negociatorët e Këshillit Politik gjetën dakordësi në mbledhjen e fundit, ndërsa drafti pritet t'i shkojë të hënën komisionit parlamentar.

Këto detaje janë bërë të ditura edhe nga përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, në këtë tryezë.

“U diskutua për problemet e medias në fushatë dhe për financimin e partive politike, por ajo që është e rëndësishme është se deri sa të shihen plotësisht të hartuara në legjislacionin zgjedhor, në Kodin Zgjedhor garancitë që është rënë dakord në 5 qershor për administrimin e zgjedhjeve, pra jo vetëm administrata, por edhe garancitë e tjera; identifikimi biometrik dhe instrumente të tjera që mbrojnë votën e zgjedhësve, sigurisht që deri në atë moment këshilli do të punojë për të mbyllur dakordësinë e plotë teknike.

U la detyrë që në fillim të javës, pra ditën e hënë, të kemi versionin e plotë, i cili parashikon të gjitha këto garanci, ndërkohë që vazhdojmë për të përmbyllur edhe ato elemente që mund të jetë e nevojshme në aspekte siç janë te financimi apo kryesisht tek çështja e medias.

Ditën e hënë, Këshilli Politik do të ketë përpara dokumentin e plotë me amendamentet në Kodin Zgjedhor për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare dhe adresim të plotë dakordësisë së 5 qershorit”, u shpreh Bylykbashi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos