
Forcat e NATO-s në Kosovë janë gati të përballen me çdo situatë nëse akte të mëtejshme të dhunës do të kërcënojnë paqen. Këtë e tha komandanti i trupave të KFOR-it në Prishtinë, Angelo Michele Ristuccia. Sipas tij, situata në terren mbetet tejet e tensionuar, pavarësisht qetësisë relative ditët e fundit.
“Jemi të përgatitur të përballemi me çdo rrethanë. Kjo është arsyeja përse siguruam forca shtesë. Ne nuk reagojmë, ne veprojmë.. Situata është shumë e tensionuar tani, pse ditët e fundit duket më e qetë. Por siç e dini, është shumë e paqëndrueshme. Kjo është karakteristika kryesore e kësaj situate”, deklaroi Angelo Michele Ristuccia.
Shefi i misionit të NATO-s në Kosovë tha se shtensionimi i situatës varet nga vullneti politik i të dyja palëve. Ai u bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të heqin dorë nga “retorika e kotë” dhe të bisedojnë për t’i ulur tensionet.
“Puna jonë është të krijojmë mundësinë për negociatorët e të dyja palëve dhe të gjithë ata të pëfshirë në procesin e paqes, që t’i kthehen dialogut, ta konsolidojnë dialogun dhe të promovojnë zgjidhje paqësore. Mënyra e vetme për ta zgjidhur situatën është përmes vendimeve politike që bazohen në vullnetin e të dyja palëve”, theksoi ai.
Aleanca e NATO-s, e cila ka një mision paqeruajtës në Kosovë që prej fundit të luftës në 1999, vendosi të dërgojë 700 trupa shtesë dhe të lërë në gjendje gatishmërie të lartë një tjetër batalion pas shpërthimit të ri të tensioneve në veriun e vendit, duke e çuar totalin në 4511 trupa. (A2 Televizion)