
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është ende i pavendosur lidhur me pjesëmarrjen në takimin me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel. Fillimisht kërkon të mësojë gjendjen e 3 policëve të rrëmbyer dhe që po mbahen në paraburgim në Serbi dhe më pas do të kthejë një përgjigje për ftesën urgjente të përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Europian për politikë të jashtme, Josep Borrell.
“Pas kishim rrëmbimin e tre policëve tanë në Leposaviç. Eskalimi u shtua dhe vetëm më pas unë u ftova për një takim të radhës për në Bruksel, që nuk jam i sigurt nëse është menduar për datën 22 apo 23 qershor për shkak të mesazheve të ndryshme. Sido që të jetë, unë fillimisht dua të pres vizitën e ambasadorit Jetish Jashari, në burg në Kralevë dhe vetëm më pas kur t’i kem të dhënat e tre policëve tanë që po mbahen peng dhe rob, si hakmarrje për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë, do të marrë vendimin dhe do të jap njoftimin për këtë”, tha Kurti.
Shefi i qeverisë njoftoi se vizita e drejtorit të zyrës së ndërlidhjes të Kosovës në Beograd tek 3 policët e rrëmbyer do të mbahet gjatë ditës së martë në paraburgimin e Kralevës. Kurti nënvizoi nevojën për sundim të ligjit në veri, si parakusht për zvogëlimin gradual të numrit të policëve atje.
“Për shkak se ka ekstremist të dhunshëm dhe grupe kriminale duhet të ketë polici të Kosovës në këto ndërtesa. Unë kam ofruar që Republika e Kosovës, gradualisht, proporcionalisht të zvogëlojë numrin e policëve, por me sundimin e ligjit që bënë të përballen me drejtësinë ata kriminel që sulmuan ushtarët e NATO-s, policët e Kosovës dhe juve gazetarët”, shtoi kryeministri.
Ndërkohë, më herët, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, sinjalizoi refuzimin e ftesës së BE-së për takim urgjent për të ulur tensionet. Ai tha se nuk ka për çfarë të flasë me Kurtin, ndërsa përsëriti akuzën ndaj kryeministrit të Kosovës se po kërkon luftë me çdo kusht. (A2 Televizion)