BE: Kurti dhe Vuçiç të vijnë pa kushte në takimin e Brukselit

Nga A2 CNN
19 Qershor 2023, 16:10 | Kosova
BE: Kurti dhe Vuçiç të vijnë pa kushte në takimin e

Bashkimi Evropian po pret që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq të pranojnë ftesën për takim në Bruksel, pa vendosur asnjë kusht. Në BE theksojnë domosdoshmërinë për të gjetur një zgjidhje për shtensionimin e situatës në veri, ndërsa shtojnë se se mungesa e angazhimit për këtë do të ketë pasoja për dyja palët.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një konferencë për medie, të hënën, tha se data e takimit të krizës Kurti-Vuçiç, nuk është caktuar ende, pasi palët nuk e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre deri më tani.

“Përfaqësuesi i Lartë Borrell ftoi kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq që të vijnë në Bruksel në një takim krize për të gjetur një rrugëdalje nga përshkallëzimi që po shohim dhe për t'iu rikthyer zbatimit të marrëveshjeve të dialogut. Data e takimit nuk është caktuar ende, pasi palët nuk e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre deri më tani. Përfaqësuesi i Lartë dhe gjithashtu shtetet anëtare të BE-së presin një qëndrim më të arsyeshëm nga partnerët që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Të dyja janë të ftuar dhe presim që të vijnë pa parakushte. Gjetja e zgjidhjes është para së gjithash në interes të popullit në Kosovë dhe në Serbi... Ftesa e Përfaqësuesit të Lartë është një mundësi që i ofrohet edhe kryeministrit Kurti, edhe presidentit Vuçiq për të treguar se në fund të fundit mund të jenë konstruktiv dhe të mundohen të gjejnë një zgjidhje, sepse kjo nuk është për të kënaqur Brukselin, kjo ka të bëjë me të ardhmen, kjo ka të bëjë me të ardhmen evropiane të popullit në Kosovë dhe Serbi. Mungesa e angazhimit do të ketë pasoja të pashmangshme për qytetarët, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, dhe kjo është përgjegjësi vetëm e dy liderëve, e presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti, nuk është përgjegjësi e askujt tjetër”, tha ai.

Takimi sipas tij po ndodh për shkak se deri tani nuk kanë parë ndonjë hap domethënës për depërshkallëzimin e situatës në veri.

“Fatmirësisht nuk ka pasur përshkallëzim të mëtejshëm, përshkallëzim fizik në terren në ditët e fundit, por nga ana tjetër, ende nuk kemi parë ndonjë hap domethënës, të menjëhershëm për depërshkallëzim, apo drejt depërshkallëzimit. Kjo ishte arsyeja që Përfaqësuesi i Lartë i ftoi të dy liderët të vinin në një takim krize në Bruksel për të rënë dakord për një zgjidhje konkrete të situatës dhe për depërshkallëzim konkret. Dhe, siç thashë, deri më tani nuk kemi mundur të caktojmë datën sepse nuk kemi asnjë përgjigje, përveçse kemi dëgjuar disa vërejtje shumë jokonstruktive të bëra publike. Por, ne presim që ata të vijnë pa parakushte dhe të mund të gjejnë një rrugëdalje nga kriza sepse u takon të dyve të diskutojnë dhe të gjejnë zgjidhje. Ne do të jemi të lumtur, si gjithmonë, t'i ndihmojmë, të lehtësojmë, t'i këshillojmë, por në fund është vendimi i tyre të bëjnë diçka për të ulur tensionin sepse kjo është në interes të popullit të tyre”, shtoi Stano.

Ai tha se varësisht prej veprimeve të Kosovës dhe Serbisë për gjetjen e një zgjidhje në veri, do të merren vendimet e nevojshme të BE-së, kur përmendi edhe mbledhjen e Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së që pritet të mbahet javën e ardhshme.

“Në këtë fazë po fokusohemi në ftesën e Përfaqësuesit të Lartë për të ndihmuar të dyja palët për të gjetur një zgjidhje. Kjo është arsyeja pse ai i ftoi ata në një takim krize në Bruksel. Dhe siç e thashë, siç e kemi thënë vazhdimisht, presim që ata të tregojnë një qëndrim të arsyeshëm dhe të vijnë në Bruksel dhe të bëjnë përpjekjet e nevojshme për depërshkallëzim. Pastaj ne vazhdojmë nga aty, varësisht nga takimi, nëse takimi ndodh dhe si shkon. Siç thashë, tani kemi dy programe të rëndësishme të BE-së, njëri është FAC (Foreign Affairs Council), takimi i Këshillit të Punëve të Jashtme të hënën në Luksemburg, i cili merret me situatën dhe tjetri është konkluzionet e ardhshme të Këshillit. Në të gjitha këto do të reflektohet sjellja, veprimet e të dyja palëve, do të reflektohen në këto dy ngjarje shumë të rëndësishme që po vijnë për perspektivën e BE-së dhe rrugën drejt BE-së të Serbisë dhe Kosovës. Pra, varësisht se si do të shkojë takimi dhe nëse do të shkojë përpara, BE-ja dhe Përfaqësuesi i Lartë do të vendosin më pas për hapat e ardhshëm. Por në këtë fazë ne jemi duke u fokusuar në atë që është realisht e nevojshme menjëherë dhe kjo është depërshkallëzimi urgjent dhe e një rrugëdalje politike nga situata”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur i pavendosur për t’iu përgjigjur kësaj ftese. Ai të hënën ka thënë se vendimin do ta marrë, pasi të shoh gjendjen e tre policëve të rrëmbyer nga forcat serbe. (A2 Televizion)

https://a2news.com/video/takimi-me-vucic-ne-bruksel-kurti-i-pavendosur-te-shoh-gjendjen-e-policeve-te-rrembyer/

A2 CNN Livestream

Latest Videos