
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë mbërrijnë në zyrën e kancelarit të Gjermanisë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë vizitës në Berlin bisedoi me shefin e qeverisë Olaf Scholz, për situatën e krijuar mes të dyja shteteve, përveç temave të tjera.
Kreu i aleancës së fuqishme ushtarake ishte ai që foli lidhur zhvillimet e fundit, por edhe për misionin e KFOR-it.
“Kemi diskutuar edhe për situatën në Kosovë. Angazhimi i NATO-s ndaj mandatit tonë të Kombeve të Bashkuara është i palëkundur. Forcat tona, KFOR-i, do të vazhdojnë të marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ndalojnë çdo hap të mëtejshëm përshkallëzues dhe t'i kthehen menjëherë dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian.”
JENS STOLTENBERG, SEKRETAR I PËRGJITHSHËM I NATO-S
Kancelari Scholz nuk foli për këtë temë, por qëndrimi i qeverisë gjermane është bërë i ditur tashmë. Ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock, përmes një deklarate kërkoi nga Serbia lirimin e menjëhershëm të 3 policëve të Kosovës, si dhe rikthimin e palëve në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Europian.
Ndërkohë, në samitin e Komunitetit Politik Europian, të mbajtur në Moldavi, kancelari Scholz u angazhua personalisht bashkë me presidentin francez, Emmanuel Macron, për të gjetur një zgjidhje për krizën në veriun e Kosovës.
Ata bënë bashkë në një takim presidentët Vjosa Osmani dhe Aleksandër Vuçiç dhe pas negociatave dolën me një plan me 3 pika ku përfshihej mbajtja e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës, pjesëmarrja e serbëve lokalë dhe qetësimi i situatës. (A2 Televizion)