
Fushata zgjedhore drejt 25 prillit duket ndryshe nga ato të kaluara dhe nuk mund të ishte ndryshe, duke parë kushtet ku jetojmë.
“Fushata, për shkak të kushteve të pandemisë, do të jetë virtuale, në pamundësi të kryerjes së mitingjeve elektorale. Po tregohet një fushatë ku më shumë se argumentet konkrete, çfarë ka bërë qeveria dhe çfarë do të bëjë, është fokusuar tek elementi i denigrimit të kundërshtarit”, thotë gazetari dhe analisti, Mentor Kikia.
Një strategji që kujton fushatat amerikane, më shumë se ato shqiptare. “Mazhoranca është duke punuar më shumë sesa opozita në këtë drejtim. Më shumë se sukseset e veta, që lënë për të dëshiruar, thonë se “ne nuk kemi bërë aq sa duhet, por shihni kush është nga ana tjetër”. Është strategji e zgjedhur edhe në SHBA, dhe në Shqipëri nuk ka qenë aq efikase, por që këtë vit po përdoret gjithmonë e më shumë”, shton Kikia.
Një nga tematikat kryesore edhe në fushatë do të jetë ajo e vaksinave. Për Kikinë, vendimet e qeverisë janë kontradiktore. “Ne vuajmë nga një sindromë varësie, ku aty ku duam të tregohemi pro-perëndimorë, duhet të jemi edhe antirusë dhe kinezë. Ishte i pajustifikuar reagimi i Ramës ndaj ofertës ruse për vaksinat. Nuk ka nevojë të tregohemi me katolikë se papa, ky është treg i hapur, ku mund të blihet kudo vaksina për të ndihmuar popullin. Serbia ka blerë në Kinë, Rusi, Poloni, kudo që është e mundur. Ne nuk duhet të ishim treguar kaq të ngurtë. Nuk është çështje pamaturie, është e ndërgjegjshme”. (A2 Televizion)