
Në një kohë të vështirë për ndarje, ai zgjodhi të largohej. Në qetësi, si artisti që nuk kërkon të bëjë bujë përveçse me punën e tij. Rikard Ljarja është ndarë nga jeta në moshën 77-vjeçare, në banesën e tij, pas një beteje disamujore të izolimit.
Regjisori, aktori dhe skenaristi që nuk fitoi dhe nuk u lakua për çmime formale të kinematografisë, ka lënë një pasuri aq të madhe në kulturën shqiptare sa asnjë çmim i vulosur nga politika e institucionet nuk do të gdhendte në kujtesën e te gjithëve karaktere si Deda në “Rrugë të bardha”. “Artisti e gjen mundësinë për publikun. Në atë kohë, e kemi mbajtur mjaft mirë publikun me filmat që kemi bërë. Ikja e tij në këtë periudhë bëhet edhe më e trishtë. I gjithë publiku duhet të ishte jashtë dhe duhet ta duartrokiste”, shprehet Roza Anagnosti.
Po, sot kinematografia shqiptare ka humbur Dedën, një djalë, një burrë të mbushur me dashuri për punën.
Deda endej përgjatë rrugëve të ftohta për të rregulluar linjën telefonikë në mënyrë që njerëzit të uronin njëri-tjetrin për Vitin e Ri. Rikard Ljarja u end gjithë jetën të realizonte produksione kinematografike që ne sot i ruajmë si thesare. Deda vdes i ngrirë në majë të shtyllës duke luftuar me të ftohtin dhe motin e keq. Rikard Ljarja ndahet nga jeta në një kohë të vështirë, por duke lënë bashkë me Dedën edhe dhjetëra karaktere artistikë.
Rikard Larja, shkodrani që nisi karrierën në skenën teatrale, kuptoi shpejt se kinematografia ishte fushëbeteja e tij më e përshtatshme artistike. Aty, ai ndërtoi gjithë jetën e tij. Aty u njoh me Marjeta Ljarjan një tjetër aktore të jashtëzakonshme që padiskutim ka ndikuar në jetën e artistit modest që kohët e fundit, që prej daljes në pension, jepte vetëm këshilla, duke zgjedhur të tërhiqej me nder nga kinematografia, së cilës i kishte dhënë një pjesë të shpirtit të tij. (A2 Televizion)