
Prej vitit 1999, kur Gjykata Kushtetuese shfuqizoi dënimin me vdekje, dënimi më i rëndë i parashikuar në Kodin Penal shqiptar, është ai me burgim të përjetshëm. Nga ajo kohë e deri më sot, çekiçi i drejtësisë ka goditur më shumë se 100 herë për këtë lloj dënimi.
Sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, aktualisht në burgje ndodhen 175 persona që vuajnë dënim përjetë. Por, një dënim i tillë nuk përkthehet medoemos me përfundimin e jetës brenda mureve të qelisë. Kodi Penal njeh një moment kur një i dënuar me burgim përjetë mund të përfitojë lirim me kusht. Sipas nenit 65 të Kodit, kjo ndodh vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe si kusht është vuajtja jo më pak se 35 vite burgim, sjellja shembullore në qeli dhe kur çmohet se është arritur qëllimi i edukimit të të dënuarit.
Por, për persona që janë dënuar para vitit 2013, sipas Kodit të vjetër, minimumi i dënimit të vuajtur të kërkuar është 25 vite. Ky nen ka shërbyer si një valvul shpëtimi për të hequr barrën e burgut përjetë nga personazhe të bujshëm të botës së krimit. I tillë ishte rasti i Endrit Dokles, ish-anëtari i “Bandës së Durrësit”. Ish i dënuari që nuk arriti ta thyejë burgun përjetë as në Gjykatën Kushtetuese, la qelinë përmes një vendimi të Gjykatës së Krujës.
Përmes disa kërkesave për ulje dënimi, ai mundi të “thërrmojë” dënimin e përjetshëm dhe të shijojë lirinë në janar të këtij viti. Në të njëjtin nen bazohet edhe kërkesa për liri e Myrteza Çaushit, Zanit të Vlorës, të dënuar përjetë për vrasje të kryera në vitin 1997. Ndërkohë, të tjerë personazhe “VIP” të dënuar përjetë në Shkallën e Parë dhe të Dytë të Gjyqësorit për krime të rënda kanë mundur të thyejnë burgun përjetë në Gjykatën e Lartë, apo në rigjykimin e çështjeve të tyre. Për ta, dalja në liri ka qenë më e lehtë, pasi, përveç sjelljes shembullore në qeli, kushti tjetër ligjor për t’u përmbushur ishte vuajtja e tre të katërtës së dënimit të marrë.
Duke llogaritur edhe uljet 90 ditore për çdo vit, që këta të dënuar përfitojnë për sjellje të mirë në qeli, dita e lirisë afrohet. Në këtë formë la qelinë ish-kreu i Bandës së Durrësit, Lulëzim Berisha, në vitin 2016. Ndërsa Dritan Dajti, në maj të vitit 2020 bashkoi në një dënim të vetëm me 25 vjet dënimin e marrë për vrasjen e 4 policëve në vitin 2009 dhe një dënim tjetër të mëparshëm, duke hapur rrugën që në përmbushjen e afatit ligjor të kërkojë lirim të parakohshëm me kusht nga qelia. (A2 Televizion)