
Gjykata e Posaçme ka vendosur të lirojë nga regjimi i egër 41bis Klement Çalën, të dënuar për grabitjen e Rinasit.
Më 5 tetor, Klement Çala u dënua me 20 vjet heqje lirie, për 4 vepra penale, mes të cilave “vjedhje me armë” dhe “grup të strukturuar kriminal”.
Për të njëjtat akuza, vëllai i tij Eldi Çala u dënua me 17 vite burg. E njëjta masë dënimi u dha edhe për të pandehurit e tjerë të dosjes, përfshi edhe Alkond Bengasin, që gjatë hetimit të dosjes pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë si i penduar. Por kur dosja kaloi në gjykim ai prishi marrëveshjen, duke pretenduar se rrëfimi në prokurori i ishte marrë në kushte presioni.
Për prokurorët e posaçëm, drejtues i grupit kriminal që ideoi dhe vuri në zbatim mega grabitjen në Rinas ishte Admir Murataj, i cili mbeti i vrarë ditën e ngjarjes gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë.
Si pjesë e të njëjtit grup kriminal dyshohet të ketë qenë edhe Talo Çela, i shumëkërkuar nga drejtësia, jo vetëm për grabitjen e Rinasit, por edhe për dy ngjarje kriminale me 4 viktima. Procesi ndaj tij u veçua dhe u pezullua me një vit, për shkak se vijon të jetë në kërkim. (A2 Televizion)