Vetëm 8 nga 22 juristë që shfaqën dëshirën për t’u emëruar gjyqtarë në Gjykatën e Lartë do të vazhdojnë garën.
Ata synojnë 3 pozicione në këtë Gjykatë që i takojnë anëtarëve jo gjyqtarë që zgjidhen nga radhët e juristëve të spikatur. Në mbledhjen e së mërkurës, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) miratoi skualifikimin e 14 kandidatëve.
Sipas relatimeve përkatëse, 10 prej tyre nuk plotësonin kushtet ligjore të kandidimit, mes të cilave mungesa e një grade shkencore në shkenca juridike, apo mbajtje postesh politike në 10 vitet e fundit.
4 kandidatë të tjerë u skualifikuan për shkak të tërheqjes nga kandidimi. Mes emrave që do të vijojnë garën janë edhe ish-Prokurori i Përgjithshëm, Dhori Sollaku, drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Sokol Saduashj, apo ish-anëtari i KLD-së, Ilir Panda.
Në vijim, ata do t’i nënshtrohen një verifikimi më të imtësishëm për pasurinë, figurën e integritetin.
Në të njëjtën mbledhje, KLGJ shpalli garë edhe për vakancën e krijuar në Gjykatën e Lartë pas shkarkimit të ish-kryetarit të saj Xhezair Zaganjori nga procesi i vetting-ut. Aktualisht, Gjykata e Lartë ka vetëm 1 anëtar nga 19 që duhet të ketë, ndërsa mbi 30 mijë dosje presin gjykimin. (A2 Televizion)